Shumë shekuj më pare, dy burra vizituan një liqen të madh, me bukurinë dhe pamjen magjepsëse të të cilit mbetën të fascinuar.
 
Ishte ende para zbulimit të pasqyrës, kështu që kur njëri prej tyre iu afrua ujit të qetë, pa figurën e vet, nuk e dinte se ishte ai porse si dikush tjetër e shikonte me buzëqeshje, andaj i buzëqeshi.
 
Ndërsa tjetri, këtë e shikonte i mërrolur, madje mori dhe një guri për ta hedhur në të por pa se sikur dikush donte ta gjuante këtë me gurë.
 
U larguan prej liqenit dhe rrugës për në kthim, burri i mërrolur foli i pari e tha: Ç’është puna me këto krijesa të mrrolura, si na shikonin ashtu?! Kurrë më nuk do ta kthehem tek ky vend!
 
Ndërsa i pari, ai që buzëqeshi, tha: Unë për vete nuk takova të tilla. Ata vetëm më buzëqeshnin. Sigurisht, do të vi papë tek ky vend.
 
Kështu është jeta dhe kështu e ka ajo: si ta trajtojmë, ashtu na trajton!
 
 
 ******************************************************************
Një herë një njeri shkoi për vizitë te miku i tij. Qëndroi një kohë dhe u prit shumë mirë. Kur erdhi koha e ndarjes miku ia dhuroi një kalë.
 
Ky u mahnit nga bujaria e mikut dhe ashtu i lumtur u largua. Pas dhjetë ditësh njeriu u kthye me kalë. Edhe kësaj radhe miku e priti ngrohtë, por në fund e pyeti:
- Çfarë ndodhi?
- Nuk e di, iu përgjigj njeriu. Dëshiroja të shkoja në qytet, por kali më solli këtu.
- Në rregull, i tha i miku. Ky kalë ka lindur dhe është ushqyer në këtë fshat. Ai është lidhur me gjërat e mia dhe me stallën e tij. E kuptoj këtë, por mos harro se unë ta kam dhuruar ty dhe tashmë të takon ty. 
Pas dy dite, njeriu bashkë me kalë u largua nga fshati.
Kaluan dhjetë ditë të tjera dhe papritur njeriu u paraqit përsëri në shtëpinë e mikut të tij. Përsëri u prit me ngrohtësi, dhe në fund miku e pyeti me butësi:
- Çfarë ndodhi këtë herë?
- E njëjta gjë, tha njeriu. Kali përsëri më ktheu te ti!
Por, kësaj radhe miku i tha:
- Unë do të mësoj se si duhesh të sillesh me kalin.
Kështu njeriu mësoi gjërat më kryesore se si duhej të sillej me kalin. Pas kësaj, njeriu shkoi dhe nuk u kthye më. Bashkëshortja kureshtare e pyeti bashkëshortin:
- Cili është roli yt në tërë këtë?
- Mund t’i japësh dikujt një dhuratë, por kjo nuk do të thotë se ai duhet ta keqpërdor atë. Obligimi ynë është që të dimë se si ta shfrytëzojmë dhuratën, i tha burri.
Në të njëjtën mënyrë Allahu i dashur ua dhuron njerëzve mendjen, zemrën, veshët, sytë dhe të mira tjera, por ata nuk dinë gjithmonë t’i shfrytëzojnë si duhet. Prandaj Ai, përveç dhuntisë, ka marrë edhe përgjegjësinë që t’i mësoj njerëzit se si t’i shfrytëzojnë dhuratat e Tij, duke i mësuar se si duhet të udhëheqin me “kalin”-nefsin e tyre, në mënyrë që ai mos t’i kthej pas në shkatërrim. Prandaj, kur ne t’i dhurojmë dikujt diçka, duhet të kemi durim, vendosmëri, dashuri dhe butësi që t’ia tregojmë atij të gjitha bukuritë e dhuratës. Për këtë mësuesit e sinqertë janë të shquar për butësinë dhe dashurinë ndaj njerëzve. Pra, mësuesi duhet ta mësoj nxënësin, për hir të Allahut, e jo për ndonjë dobi tjetër. Tregimi për dhuratën në mënyrë të bukur e tregon dashurinë e mësuesit ndaj nxënësit, gjegjësisht për butësinë që personi në pozitë më të lartë duhet të ketë ndaj personit në pozitë më të ulët.

******************************************************************
Ajo ishte duke udhëtuar me makinën e saj, krejt e vetme. Në një vend të pabanuar makina pëson një defekt. E ndaloi makinën dhe doli jashtë të shohë çmund të bënte, por u zhgënjye shpejt. Dëmi mesa dukej ishte i rëndë. Hyri brenda dhe u përpoq ta ndezë, por makina nuk ndizej dhe kishte një zhurmë të frikshme. Qëndroi buzë rrugës me shpresë se mos kalon ndokush, por asgjë nuk dukej në horizont. Pas pak kohësh vjen një makinë e cila me ta vënë re qëndron. Nga makina doli një djalë i ri.
Sa u gëzua aq edhe u frikësua. Mund të ishte njeri shumë i mirë, por mund të ishte dhe ndonjë kriminel.
Ai e pyeti zonjën për hallin dhe gjithë frikë ajo i tregoi për problemin e makinës.
I kërkoi të hyjë brenda në makinë ngaqë ishte dhe ftohtë dhe ashtu bëri.
Ndërkohë, i riu përveshi mëngët dhe filloi të punojë tek motori i makinës.
Kur besoi se e rregulloi, i riu buzëqeshi dhe i kërkoi ta ndezë.
Makini lëshoi një uturimë dhe dukej se punon mirë dhe ishte rregulluar.
Ajo nxori portofolin dhe hoqi një shumë të mirë parash, të cilat dëshironte t’ia japë për shërbimin që i kreu.
Por ai i buzëqeshi dhe i tha:”Më quajnë Adam dhe nuk dua asgjë nga ju. Gjithçka që kërkoj është që nëse shihni ndonjë njeri në nevojë, ndihmojeni me ç’të mundni”
Ajo vazhdoi rrugën derisa mbërriti tek një restorant. Ndaloi makinën dhe zbriti të pushojë dhe të marrë diçka për të ngrënë. Kamerierja që i shërbente ishte një femër e re në moshë dhe shtatzanë, në muajt e fundit. Dukej që barra dhe puna ishte diçka e vështirë për të.
Pasi konsumoi ushqimin, zonja u ngrit dhe i la në dorë kamerieres 100 dollarë. Kamerierja vajti tek arka dhe nxori që andej kusurin, por pa që zonja në fjalë ishte larguar. Kur vajti të pastrojë tavolinën, poshtë pjatës gjeti 500 dollarë të tjera.
Kur kamerierja u kthye në shtëpi e gëzuar nga ai bakshish që kishte marrë, e cila do i kursente punën përgjatë muajve të mbetur deri në lindje, e priti i shoqi tek dera. Ajo e përqafoi dhe para se ti tregojë për bakshishin, i tha:”Të dua shumë Adam!”
Përveçse e mira që bën të kthehet shumëfish, ajo bëhet shkak që të bërit mirë kultivohet edhe tek të tjerët. “Bëni mirë sepse Zoti i do ata që bëjnë mirë!”
******************************************************************

Një tregtar, i shiti pusin një fermeri me para në dorë. Kur fermeri shkoi të mbushë ujë, tregtari i doli para dhe i tha:”Të kam shitur pusin dhe jo ujin. Nëse do ujë, duhet të paguash edhe çmimin e ujit. Hajde shko tani!”
Fermeri e kundërshtoi këtë dhe pas një debati të gjatë, përfunduan në gjykatë tek kadiu. Me ti dëgjuar të dy, kadiu iu drejtua tregtarit me fjalët:”Nëse ia ke shitur pusin dhe jo ujin, atëherë nxirre ujin që andej, pasi nuk ke asnjë të drejtë ta mbash ujin tënd brenda pusit që ke shitur. Përkundrazi, të duhet ti paguash qiranë fermerit.”
Tregtari i zënë ngushtë nga ky gjykim, uli kokën dhe doli nga gjykata, duke e lënë fermerin ta përdorë pusin sipas dëshirës.


*********************************************************************
Mos e kthe kokën pas!

Shpejtësia e kaprollit është rreth 90 km në orë, ndërkohë që shpejtësia e luanit është afërsisht 58 km në orë.
Megjithatë, në shumicën e përndjekjeve të luanit, kaprolli bie pre e luanit.
E dini përse?
Sepse kaprolli kur vrapon për ti ikur luanit, beson se ai do e kapë dhe do e shqyejë, pasi ai është i dobët krahasuar me luanin.
Kështu, frika e saj se nuk do i shpëtojë dot shqyerjes së luanit, e bën që të kthejë kokën shpesh për të përcaktuar distancën që e ndan me luanin. Këto kthime koke janë vdekjeprurëse, pasi ndikojnë negativisht në uljen e shpejtësisë së kaprollit. Janë pikërisht këto ato që e ngushtojnë distancën gjithmonë e më shumë mes luanit dhe kaprollit, për të arritur në fund që luani ta palosë përtokë dhe ta shqyejë.
Nëse kaprolli nuk do të kthente kokën pas, luani nuk do të mund ta arrijë dhe për pasojë ta shqyejë. Nëse kaprolli do ishte i ndërgjegjshëm për pikën e fortë të vetes, pra shpejtësinë, ashtu siç luani ka pikën e tij të fortë fuqinë, do i shpëtonte dhëmbëve të tij.
Sa herë na ka ndodhur që të kthejmë kokën pas në të shkuarën tonë, duke e lejuar të pushtojë të tashmen me demoralizimin, për shkak të gabimeve dhe shkarjeve tona asokohe?!
Sa e sa dekurajime dhe demoralizime të brendshme na kanë bërë të humbasim besimin se jemi të aftë tu shpëtojmë faktorëve dekurajues dhe ta vrasim frikën brenda vetes, për të përmbushur objektivat tona dhe për të korrur suksesin e dëshiruar!
**************************************************************
Tregohet se një gjarpër, pasi kishte rënë mbrëmja, hyri në punishten e marangozit, në kërkim të një ambienti më të ngrohtë se ai përjashta.
Marangozi e kishte ves që disa vegla, ti harrojë mbi dysheme dhe mes tyre, ishte dhe sharra e tij e mprehtë.
Teksa bridhte lart e poshtë në punishte, gjarpri kaloi dhe mbi sharrën e marangozit, e cila, për shkak të dhëmbëve të saj të mprehtë, i shkaktoi disa plagë. Gjarpri ndjeu dhimbje të forta dhe instinktivisht, iu vërsul atij objekti që e kishte plagosur, duke dashur ti ngulë dhëmbët dhe ti injektojë helmin e tij vdekjeprurës. Ai nuk arriti ti ngulë as dhëmbët dhe ti injektojë as helmin. Madje, iu thyen dhëmbët dhe iu gjakos goja.
Ai nuk po e kuptonte çfarë po ngjet. Në një moment, kujtoi se sharra e kishte sulmuar dhe synonte ti marrë jetën. Duke ndjerë rrezikun që i kanosej, ai ndërmori një veprim tjetër agresiv, iu mbështoll sharrës në orvatje për ti marrë frymën.
Të nesërmen në mëngjes, marangozi vajti në punishten e tij dhe gjeti sharrën të gjakosur, kurse përbri saj, gjarprin e copëtuar, jo për ndonjë arsye tjetër, veçse për shkak të nervozizmit dhe instinktit të tij agresiv ndaj çdo gjëje.
Morali:
Ndonjëherë, në momente nervozizmi, orvatemi ti shkaktojmë plagë tjetrit, por pas disa kohësh, kuptojmë se ne thjesht kemi plagosur veten.
Nervozizmi, është një djall i cili pushton mendjet dhe ushqehet nga zemrat tona, duke i shndërruar fjalët dhe veprat tona në çmenduri. Në ato çaste, ne nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë themi dhe çfarë bëjmë.
*********************************************************************
Njëherë një burrë ishte i brengosur për gruan e tij e cila nuk dëgjonte mirë, se ndoshta ndonjë ditë do t’a humbiste të dëgjuarit komplet. Mendoi të shkote tek specialisti i veshëve, por së pari u kujtua të konsultohet me doktorin familjar, ta merrte mendimin e tij, e pastaj ta dërgonte gruan tek mjeku specialist. Pasi e takoi doktorin familjar dhe ia shpjegoi problemin, doktori i bëri të ditur se ka një metodë tradicionale për të testuar nivelin e të dëgjuarit të tjetri. Metoda është që burri të qëndroj në largësi prej 40 hapave nga bashkëshortja e tij, t’i flas asaj me një zë mesatar nëse përgjigjet, e nëse jo, atëherë të afrohet në largësi prej 30 hapash dhe ta përsëris të njëjtën gjë, e nëse përsëri nuk dëgjon t’i ofrohet në 20, e pastaj në 10 hapa, e pastaj më afër deri sa t’a dëgjoj.

Në mbrëmje u kthye në shtëpi, e gjeti gruan e tij duke bërë ushqim, tha me vetvete: Tash është mundësia t’a praktikoj këshillën e doktorit. Filloj t’a thërriste: Grua moj, çfarë ke gatuar? .... ajo nuk u përgjigj, u afrua në 30 hapa afër kuzhinës, e përsëriti pyetjen e njëjtë, por sërish nuk mori përgjigje, pastaj u afrua në 20 hapa, e përsëriti të njëjtën pyetje, por nuk mori përgjigje, pastaj në 10 hapa por pa sukses. Vendosi të hyj brenda në kuzhinë pas saj dhe e përsëriti të njëjtën pyetje, e ajo iu përgjigj: O burri im, për herën e pestë po të them: Pulë të pjekur.

Mësimi nga tregimi:

Nganjëherë problemi nuk është tek të tjerët, por tek ne. Mos t’i akuzojmë të tjerët, para se të shohim problemin nga vetja jonë!
Nje tregim per Burrin dhe Gruan...

Pyet gruaja burrin: Nëse unë vdes, sa do presësh derisa të rimartohesh? I thotë: Derisa të thahet balta e varrit tënd. I thotë gruaja: Më premton?
Burri: Të premtoj.
Dhe pasi i vdes gruaja, burri shkonte çdo ditë te varri i saj për gjatë një viti dhe shikonte se dheu i varrit vazhdonte të ishte i lagur dhe nuk thahej!

Në një ditë prej ditësh shkon burri te varri në mbrëmje...dhe gjeti vëllanë e gruas te varri dhe e pyeti: -Çfare bën ti këtu në këtë orë..? Tha: -Zbatoj amanetin e motrës, ujis dheun e varrit në çdo 2 ditë..!!!
Dy burra të fuqishëm mbajnë të njëjtën peshë, njëri shfryn e lodhet sikur po e mban i vetëm, kurse tjetri qesh dhe këndon, sikur nuk po mban asgjë.

Dy persona të sëmurë me të njëjtën sëmundje dhe në të njëjtën gradë, njërin e ka kapluar frika dhe e sheh vdekjen para syve duke e rënduar kështu sëmundjen, kurse tjetri është optimist, shërimi i qëndron para syve dhe për rrjedhojë, shëndeti i tij përmirësohet.

Dy burra dënohen me vdekje, njëri mbërthehet nga dëshpërimi dhe zia, duke vdekur një mijë herë para se ti vijë çasti vendimtar, kurse tjetri manifeston maturi dhe reflektim, nëse nuk i shpëton dot vdekjes, të paktën ajo nuk e vret pa i ardhur çasti.

Bismarku, njihet si gjakësor, burrë lufte dhe paqeje, një gjeni i rrallë. E kishte të pamundur të qëndrojë pa duhan qoftë dhe një minutë. Pa mbaruar njërën cigare, ndizte tjetrën. Nëse i mungonte cigarja, e kishte të pamundur të mendonte në mënyrë të kthjelltë. Gjatë një beteje, pa që i kishte mbetur vetëm një cigare, të cilën e ruajti për në çastin kur pa duhan e humbiste toruan. Qëndroi një javë pa duhan, me shpresë se së shpejti do e ndizte. Me ta gjetur, hoqi dorë përgjithmonë prej tij, pasi iu duk se e gjithë lumturia e vet personale varej nga një copë letre që mbështillte pak duhan.

Shejh Khudarij, një historian i njohur, nga fundi i jetës së tij, u fiksua se në zorrë i kishte hyrë një gjarpër. Ai nuk la doktor pa u vizituar. Të gjithë ngërdhesheshin dhe i pohonin se në zorrë mund të ketë askaride, por jo gjarpërinj dhe nepërka. Megjithatë, ai nuk besonte askënd. Kjo gjendje vazhdoi derisa arriti tek një doktor finok, i cili me ta dëgjuar, i dha një ilaç laksativ dhe e vendosi në regjim shtrati. Në enën përkatëse, doktori kishte vënë një gjarpër dhe më pas, ia tregoi të sëmurit, i cili me ta parë, u çel në fytyrë dhe iu kthye energjia. Nëse në spital kishte hyrë me karrocë të sëmurësh, ai doli në këmbë duke kërcyer. Që atë ditë, nuk u sëmur asnjëherë. Ajo që e shëroi shejhun nuk ishte gjarpri që i doli nga barku, por gjarpri që i doli nga koka. Atij sapo i ishin zgjuar energjitë e brendshme të cilat gjer atëherë kishin qenë të fjetura. Në brendësi, njeriu ka energji dhe forca të cilat nëse i shfrytëzon në dobi të tij, bën mrekulli.

Këto energji qëndrojnë të fjetura, derisa ti zgjojë frika ose gëzimi. Secili nga ne është sëmurë, e ka mbërthyer plogështia, ka humbur vendosmërinë dhe mezi lëviz këmbët nga rraskapitja. Por, me ti dalë përballë një gjarpër, ai shndërrohet në luan, sikur të mos kishte asnjë problem dhe sikur të mos kishte përjetuar lodhje. Ku vajti sëmundja dhe plogështia? Mund të jemi të rraskapitur për vdekje dhe mezi presim të mbërrijmë në shtëpi për tu shtrirë të çlodhemi, por atje na pret një telegram nga një mik që është nisur drejt nesh dhe kërkon ta presim në stacion; mund të jetë dhe një letër nga një ministër i cili na ka ofruar një detyrë të rëndësishme. Në atë çast, e gjithë lodhja dhe demoralizimi sikur të hiqen me dorë, uria të shuhet dhe rruga për tek destincacioni përkatës përshkohet pa e ndier.

Këto energji janë burimi i vërtetë i lumturisë, e cila shpërthen siç shpërthen uji i burimit nga shkëmbinjtë, i pastër dhe i freskët.

Lexues i dashur!

Ju jeni të pasur, por nuk e dini sasinë e pasurive që posedoni, nuk ua dini as vlerën, për të mos thënë që i shpërfillni. Dikush prej jush sëmuret, i dhemb koka, barku apo dhëmbi dhe e sheh të gjithë jetën të zezë e të errët. Përse vallë nuk e shihte të bardhë dhe plot dritë më parë? Nëse i nënshtrohet një diete dhe privohet nga kafshata e bukës, ka zili këdo që sheh duke ngrënë për qejf. Përse nuk ia ndiente lezetin para se të privohej? Përse nuk i vlerësoni të mirat, veçse pasi ti keni humbur? Përse i moshuari qan pleqërinë dhe nuk i gëzohej rinisë? Përse nuk e ndjen rehatinë dhe lumturinë veçse kur privohet prej saj? Përse e shohim lumturinë vetëm në errësirën e të shkuarës, apo në mjegullën e të ardhmes?

Të gjithë qajnë e vajtojnë të shkuarën, duke injoruar të tashmen para se të shndërohet në të shkuar.

Zonja dhe zotërinj!

Ne konsiderojmë pasuri, vetëm shumat monetare. A e dini historinë e mbretit të sëmurë, të cilit i sillnin ushqime nga më të shijshmet, e atij nuk i shijonte asgjë? Një ditë, ky mbret shikon nga penxherja kopshtarin e tij, i cili ishte ulur dhe po hante bukë të thekur me vaj ulliri. Njërën kafshatë e kishte në gojë, të dytën në dorë dhe të tretën e rrokte me syrin e tij të uritur.

Teksa e shihte, mbreti uronte që edhe ai të ketë një oreks të ngjashëm me të kopshtarit. Përse nuk e vlerësoni shëndetin? Po, a ka shëndeti vlerë?

Kush prej jush është gati të heqë dorë nga shikimi, kundrejt 100 mijë dollarëve?

Dikur, një burrë humbi rrugën në shkretëtirë. Ushqimi dhe uji i kishin mbaruar dhe gati po jepte shpirt nga uria dhe etja. Pas disa sorollatjeve, sytë i zunë një oazë me ujë, e përbri burimit gjeti një torbë. Pasi piu ujë, mori torbën me shpresë se do të gjente brenda ushqim. Por kur e hapi, pa që ishte plot me florinj. Nga dëshpërimi i ra torba përtokë, e më pas, i ra të fikët nga lodhja dhe uria.

Një tjetër, kishte adhuruar Zotin natën e Kadrit dhe i ishte lutur që gjithçka që i prekin duart, të shndërrohet në flori. Mesa duket, Zoti ia kishte pranuar lutjen për hir të kësaj nate të madhe. Kështu, me të prekur gurin e parë, ai u shndërrua në flori. Kur e pa këtë mrekulli, gati sa nuk i iku mendja nga gëzimi. Zoti sapo ia kishte pranuar lutjen. Me vrap u nis për në shtëpi duke fluturuar nga gëzimi. Shkon të hajë diçka, por me ta prekur ushqimin u shndërrua në flori, kështu filloi ta marrë uria. Shkoi e bija ta ngushëllojë dhe me ta përqafuar, u shndërrua dhe ajo në flori. Atëherë shpërtheu në të qara dhe filloi të lutej që ti kthehej e bija dhe ushqimi, duke ia hequr qafe floririn.

Rothshild hyri në depozitat e thesareve të veta, ku në një çast i ishte mbyllur dera dhe vdes në një det floriri dhe diamantesh.

Zotërinj të nderuar!

Përse kërkoni floririn, ndërkohë që notoni në flori?! A nuk është flori shikimi, shëndeti dhe koha? Përse nuk e shfrytëzojmë siç duhet kohën tonë? Përse nuk e vlerësojmë atë? Koha, shëndeti, mendja dhe shumë të tjera janë pasuri dhe shkaqe që na bëjnë të ndihemi të lumtur, sigurisht për ata që duan të jenë të tillë.

Pasuria më e madhe dhe më e vyer mbetet besimi, i cili ngop të uriturin, ngroh atë që mërdhin, pasuron fukaranë, gëzon të mërziturin, forcon të ligshtin, bujaron koprracin, ngushëllon të vetmuarin dhe i jep shpresë të demoralizuarit.

Veç kësaj, shih dhe ata që janë poshtë teje, sepse sado keq të jesh, do të shohësh me mijëra të tjerë që janë në kushte më të rënda, më pak të arsimuar, më pak të ditur, më të varfër...

Madje, do të thosha që ti je në kushte më të mira se shumë mbretër të botës. Ti je më mirë se kalifi Abdul Melik ibnu Mervan dhe Harun Reshid, dy kalifët që udhëhiqnin pjesën më të madhe të  botës. Abdul Melik ibnu Mervan, vuante nga një dhëmballë e cila nuk e lejonte të mbyllë sytë natën. Ai nuk gjente një doktor për t’ia mjekuar dhe mbushur, edhe pse kishte kushedi sa tonelata flori. Ndërkohë që ti me të ndjerë pak dhimbje, gëzon shërbimin e dentistit.

Harun Reshid kishte qirinjtë për ndriçim nate dhe udhëtonte me kuaj, kurse ti ke korrentin dhe udhëton me makina. Ai e përshkonte rrugën nga Damasku për në Mekë, për një muaj, kurse ti e përshkon brenda një dite.

Lexues të nderuar!

Ju jeni të lumtur, por nuk e kuptoni. Jeni të lumtur nëse ndërgjegjësoheni për të mirat e shumta që u rrethojnë; jeni të lumtur nëse njihni veten tuaj dhe i shfrytëzoni energjitë vetjake; jeni të lumtur nëse lumturinë e kërkoni nga vetja dhe jo nga ata që u rrethojnë; jeni të lumtur nëse mendimet i keni të lidhura me Zotin, i jeni mirënjohës për mirësitë dhe bëni durim ndaj sprovave. Kështu, jeni të fituar në të dy situatat.